Monday, April 23, 2007

DY KONCEPTIME RRETH GLOBALIZMIT

DY KONCEPTIME RRETH GLOBALIZMIT PËRMES DEBATIT KADARE-QOSE

Dr. M. Gjoka

1. Ç’domethënë “pankosmiopiisi mama”

Avioni interatlatik Air Bus e la pas aeroportin Elefterios Venizello të Athinës dhe e para ngjarje interesante që vura re pas pak ishte kontradikta midis treguesit të orës sime dhe orës lokale. E ndërsa kalojmë meridianët drejt perëndimit ora lokale shënon gjithnjë e më pak në kundershtim me orën time të dorës. Lëmë pas Europën kontinetale dhe futemi në hapësirën atlantike duke përshkuar një hark me kurbature drejt ishullit të Islandës dhe pas dhjetë orësh fluturimi i afrohem Bostonit nga ku avioni merr rrugën drejt New Yorkut. Këto hollësira na i jepte harta në monitorin e montuar para çdo sediljeje si dhe një monitor qëndror. Disa mijëra metra mbi ujërat e oqeanit atlantik, përmbi re, ku termometri jashte shënon –59 grade celcius dhe shpejtësia e fluturimit rreth 950-1000 km në orë janë të mjaftueshme për ta ndjerë veten se po fluturon në një përmasë tjetër hapësire dhe kohe. Meditoja sa për rrotullimin e tokës dhe Ajnshtajnin aq dhe për gjithë atë mori popujsh dhe ujërash që po linim pas. Ndërkaq më tërhoqi vëmendjen një pyetje e një fëmije që ende nuk kishte hyrë në moshën e adoleshencës, drejtuar nënës së vet: ç’domethënë “pankosmiopiisi mama”(globalizëm). Nëna që me sa duket ishte sociologe po mundohej ti shpjegonte vajzës së vet por nga fytyra e hutuar e së bijës e kuptova që nuk arriti t’i krijonte një ide të qartë. Pas pak minutash vajza duke parë në korridorin e avionit një nënë krejt bionde me një fëmijë të vogël që kishte tiparet e një zezakeje me flokët rrodhe rrodhe dhe lëkurën krejt të zezë thirri: “mama, e kuptova, globalizëm dmth që mami është e bardhë dhe bebi i saj i zi!”. Pa dashur më shpërtheu një e qeshur që në këto orë të lodhëshme u përhap dhe tek bashkëpasagjerët e tjerë.

Avioni filloi të zvogëlonte lartesinë siç u kuptua nga një farë shurdhimi i përkohshëm për shkak të ndryshimit të presionit të ajrit dhe pas pak në sytë tanë u shpalos Nju Jorku dhe grataçielat të cilat ende na dukeshin si godina të vogla nga lartësia ku fluturonim dhe vetëm pas pak sekondash shkarazi pamë madhështinë e tyre, ndërsa aeroplani po i afrohej pistës së zbritjes.

2. Kasandra e mijëvjeçarit të tretë të erës së re

Text Box:   Figure 1 Kullat binjakeDisa ditë më pas po e përtypja me vehte gjithë atë lloj meditimi në mendjen time. Diku aty mes gratacileave ishin dhe dy kullat binjake që u rrëzuan në 11 shtator nga terroristët. Ishte pikërisht 11 shtatori i vitit 2001 kur bota filloi të mos ndjehej e sigurt as në metropolin e globit në Nju Jork. Kjo ide mu përforcua nga kontrolli i imët në doganë ku edhe ajo vajza e vogël e aeroplanit u detyrua ti hiqte këpucët nga këmbët e saj të vogla se mos fshihej në to ndonjë rrezik për Amerikën! Dhe një aparaturë tjetër veç asaj me rreze x kontrollonte në se kishte në bagazhet tona ndonjë lëndë radioaktive dhe padurimi im ishte i madh duke qenë se rrezikoja të humbja avionin tjetër për në Kaliforni ku ishte destinacioni im. Ashtu si Kasandra kishte parashikuar se kali i dhuruar nga akejtë do ti sillte fatkeqesi Trojës, një fat thënës i mijëvjeçarit të tretë, Samuel Hanigton me artikullin e tij të famshëm në botimin vjeshtor të revistes “Forign office” të 1993 dhe mandej në librin e tij “Ndeshja e qyteterimeve” e kishte parashikuar që bota perëndimore do të merrte një goditje që e kishte origjine e vet në botën islamike!11 shtatori tregoi se profecia e vet ishte e vërtetë, të paktën kështu u intepretua nga një pjesë analistësh ashtu sikurse nga një sërë të tjerësh kjo teori është quajtur e pa bazë.

Cili është Samuel Hunigton? Lindur në 1927, diplomuar Harvard në 1950 dhe bashkëthemelues i revistës Foreign Policy”, aktualisht profesor i “Shkencës së qeverisjes” në Harvard, konsulent politik i presidenteve Xhonson dhe Karter dhe konsulent me influencë në politikën afatgjatë të qeverive amerikane.

Cilat janë tezat që parashtron Hunigton në artikullin e vet që duket po aq epokal sa dhe artikulli i Kennan ne Foreign Affairs në 1947 që skicoi idenë e “Luftës së ftohtë” ?

3. Rrobat e reja të mbretit dhe klubi i Hanigtonit

Duke provuar një zbatim “matematik” të teorisë së Hanigtoni në Shqipëri, nuk është nevoja të kërkojmë shumë. Një model i tillë zbatimi gjendet nëpër faqet e përditëshme të shtypit shqiptar që kurse Kadare botoi sprovën e vet “Identiteti Europian i Shqipërisë” dhe korifeu tjetër i letrave shqipe Rr.Qosja morri vrullshëm penën për ta shkërmoqur bazën ideologjike mbi të cilin mbështetet Kadare.

Dhe përqark strubumllarit Kadare- Qose një tërësi shkrimesh pro dhe kundër, ku me motive argumentimi dhe ku të shkruara me një tifozllëk që i kalon dhe ethet e kampionatit botëror nga mënyra se si po zhvillohet. Dhe padashur bën pyetjen se në cilin klub do ta vendosësh veten, tek kadareanët (siç i quan Lubonja përkrahësit e tij) apo në klubin qoseizmi siç i quan M. Velo përkrahësit e profesor Qoses. Duke lënë mënjanë si ata që verbërisht e sulmojnë Kadarenë ashtu dhe ata që po verbërisht e mbrojnë atë me slloganet “nder i kombit”, “figura jonë e shquar”, “kandidati për nobelist” etj po përpiqem të bëj një revizion të argumentave pro dhe kundra tij.

Nuk do të desha ta vija veten në rolin e kritizerit të këtyre figurave që ngelen të shquar sido qoftë polemika që zhvillohet misi tyre, por kjo nuk besoj se pengon kërkënd të shprehë mendimet e tij me po atë naivitet të fëmijës tek përalla e Andersenit që konstatoi se “mbreti nuk kishte fare rroba të reja por ishte krejt lakuriq”.

Së pari do të më interesonte të mësoja se në cilin nga klubet e sipërme do ta vinte vetveten Samuel Hanigton po të njihej me replikat e famëshme rreth Kadare dhe Qose. Duke ndjekur vijën logjike të artikullit te tij, pasi të njihej me historinë e Shqiptarëve, Hanigtoni do të konstatojë se Shqipëria ndodhet pikërisht në atë kufirin ndarës midis dy qyteterimeve, atij perëndimor dhe atij musilman dhe jo vetëm kaq, tërësia e këtyre shqiptarëve, ka të dallushme brenda entitetit të vet të dy qytetërimet, perëndimor kristian (me dy nënqyteterimet, katolik dhe ortodoks) dhe musilman. Atij nuk do ti mbushin mëndjen argumentet e sociologut F. Tarifa që e redukton qytetërimin në doktrinë të krishterë dhe musilmane dhe që për pasojë kjo luftë doktrinash nuk ka gjasa të zhvillohet pikërisht ne Shqipëri. Po aq pa kuptim do ti duket konkluzioni që debati ka lindur sepse “Qose nuk e duron dot madhështinë e Kadaresë” planetar siç mendojnë P. Misha dhe disa të tjerë. Dhe ndonjeri, si S. Bejko e shpjegon Qosen duke sajur terma interesante si “komunistë bizantinë” (Hunigtonit do ti duhet mjaf mund për të kuptuar këta dijetarët tanë sidomos kur gjen konstatime të tilla se është bizanti ai që ka krijuar sintezën e orientit me oksidentin.Vërtet gjenden disa elemente të tillë që krijojnë këtë përshtypje, por ato janë anësore.

Thelbi i debatit lidhet me pikëpamjen e Kadaresë se identiteti i Shqipërisë është lidhur me krishtërimin, pra me Perëndimin dhe qëndrimin e Qoses, që kosideron se Shqipëria është udhëkryqi i dy kulturave, asaj të krishterë dhe asaj islamike, madje ajo islamike zë vendin më të rëndësishëm.

Koncepti i fjalës qytetërim sipas Hunigtonit përmban mjaft gjëra të lidhura me historinë, gjuhën, kulturën, traditën dhe me faktorin më të rëndësishëm, fenë. Dhe popujt e civilizimeve të ndryshme dallohen nga njeri tjetri nga marrëdheniet midis Zotit dhe njeriut, individit dhe grupit, qytetarit dhe shtetit, prindëve dhe fëmijëve, burrit dhe gruas si dhe konsiderata relative rreth të drejtës dhe përgjegjësisë. Dhe këto diferenca kanë prodhuar konfliktet më të dhunëshme në histori. E pikërisht konflikti 1300 vjecar midis qyteterimit perëndimor dhe islamik i ka kufijtë mes për mes shtylles vertebrale të truallit të shqiptarëve, ku shquan në këtë pellg shekullor gjaku si gur kilometrik i kohës periudhë- qëndresa 1450-1470 e shqiptarëve me Gjergj Kastriotin që i vunë fre qyteterimit islamik përkohësisht, ashtu siç konstaton dhe Kadare. Dhe Hunightoni “duke grumbullar” të dhëna për shqiptarët do të mësojë se para kësaj periudhe për rreth një mijwvjeçare e gjysëm kjo popullsi ishte pjesë e qyteterimit të herët dhe mesjetar europian, pra të krishterë. Hanigtoni s’do te ishte aspak dakord me ata që e kosiderojne si të importuar nga ndonjë pushtues fenë e krishterë. Kushdo që ka lexuar historinë e krishtërimit do të konstatojë se atë nuk e ka sjellë asnjë pushtues, siç na thotë analisti F. Lubonja. Ishin apostujtë, ashtu si Shën Pavllo dhe shën Asti ata që morrën përsipër barrën e përhapjes së krishterimit duke ju nënështruar terrorizimeve të romakeve që kishin forcën e legjioneve. Por pikërisht në këtë ndeshje midis musilmanizmit dhe krishterimit, që nuk u bë aspak në mënyrë paqësore në trojet me shqiptarë, siç pretendojne disa analistë, ndodhi fatalja për masën më të madhe të shqiptarëve, ata u “infektuan” nga qytetërimi musilman duke u bërë mbartës dhe shërbyes të perandorisë turke në skajin e saj të largët në Ballkan dhe jo vetëm.

Fund i pjesës së parë (Tribuna, d.t 13-04-2007)

4. Realitete dhe premisa

Përballë një mënyre të shkruari meditative siç është sprova (eseja) e Kadaresë ku shpesh zë vend të parë efekti artistik i fjalës, kemi prozën e rëndë që hera herës të duket se je në një sallë gjyqi ku Qose lexon pretencën, bën gjykimin e çështjes dhe njëkohsisht është avokat po i Qoses. Ky rol i trefishtë e lodh lexuesin dhe siç e kanë vënë re dhe të tjerë si K. Frashëri (Identiteti Kombëtar dhe çështje të tjera-Tiranë 2006) i largohet temës lidhur me identitetin e shqiptarëve. Prandaj ngelet jashtë diskutimit tim teoria sofistike aq e përpunuar e kudërshtarëve të Kadaresë që bazohet në të ashtuquajturin term “i përkëdheluri i diktaturës”. Ishte diktatura që kishte nevojë për Kadarenë dhe jo e kundërta dhe ka mjaft paralelizma historikë që tregojnë se si diktatorët dhe mbretërit i afrojnë figurat e shquara krijuese për të rritur prestigjin e vet. Edhe në oborrin e Ali Pashës ishte “i përkëdhelur” Bajroni dhe iluministë të shquar epirotë si Psalidha dhe Vilara, por nuk mund të besojmë se ishte Aliu që porosiste “Çaljd Haroldin”. Akoma bëhet sikur nuk kuptohet nga z. Qose dhe shumë tjerë pamundësia reale për të dalë kundër diktaturës së viteve 45-90, qoftë dhe nga personalitete të shquara publike, pa pësuar pasoja të thella familjare dhe personale (eleminimi fizik i figurave me famë afër asaj të E. Hoxhës nga ky i fundit e tregon më së miri këtë).

Në thelb duket se që të dy korifejtë e letrave shqipe e pranojnë teorië e S. Hanigtonit për ndarjen e qytetërimeve por mendimet e tyre ndahen në efektet e kësaj teorie mbi shqiptarët. Kadareja përmend se “…edhe Rexhep Qosja ka të drejtë kur thotë se nëse shqiptarët do të kishin ruajtur besimin fillestar, rikthimi i tyre në Evropë do të kishte qenë më i lehtë. Por kjo keqardhje e tij, nëse mund ta quanim kështu, bie ndesh me këmbënguljen se gjysma jonë i përket ndërkaq qytetërimit lindor” (në të vërtëtë më se 70 % dhe jo gjysma në se llogarisim dhe shqiptarë tej trojeve të saj).

Shpesh Kadareja kritikohet edhe nga të tjerë veç Qoses për disa pasaktësi historike siç është mendimi që i jep vend primar kishës katolike në raport me atë orthodokse rrjedhimisht i atribon asaj dhe një rol promotor, duke quajtur njërën “mëmë” e tjetrën “bijë” ndonse ndarja e tyre u bë kur para ardhësit e shqiptarëve të sotëm kishin rreth njëmijë vjet të njëjtën trung feje të krishtere dhe për më tepër pjesa katolike e banorëve Shqipërisë ka një traditë ekonomike relativisht më mbrapa jugut të zhvilluar orthodoks. Madje këta të fundit do të jenë dhe qytetarët e parë shqiptarë me shtetësinë e një vendi të Komunitetit Europian. Gjithashtu nuk është e saktë teza që dënimet më të rënda i pësuan katolikët gjatë sistemit monist, kur statistikat tregojnë të kundërtën. Por ideja e tij e shprehur në vitet e fillimit të pluralizmit që “shqiptarët duhet të kthehen në fenë e të parëve të vet” është ajo e një profeti të ri për të cilën kanë kaq shumë nevojë shqiptarët. Dhe për këtë kushtet ishin më se të përshtatëshmë të paktën për popullsinë brenda trojeve të Shqipërisë zyrtare që vinte pas një farë vakumi të krijuar nga edukimi ateist sdomos për ata që u lindën në intervalin midis viteve 50-80. Ishin gjithashtu të përshtatëshme sepse një shiptare me emrin Gonxhe Bojaxhi ishte bërë Nënë Tereza e famshme. Pra shqiptarët nuk prezantoheshin nëpër edicionet e kanaleve televizive të globit vetëm nga ata që kacavireshin anijeve në kërkim të parajsës perëndimore. Ata pra, shqiptarët, kishin potenciale universale që i shtoheshin vlerave të kulturës perëndmore nga një shqiptare që aktivitetin e saj humanist e ka patur në Kalkutë. Pikërisht këtu do të thoshim se të gabuara janë premisat e Qoses dhe jo të Kadaresë.

Shteti pluralist shqiptar i hapi dyert deri dhe fundamentalistëve musilmanë duke i lënë terren të lirë veprimi zëvendësimit të islamit tradicional me një islam të afërt me konceptet whabite - pra të islamit në një ndër format e tij më radikale që praktikohet në Arabinë Saudite, si dhe në disa nga vendet e tjera arabe të Gjirit (“Dictionnaire Mondial de l’Islamisme – Plon, 2002 –cituar dhe nga P.Misha në artikullin -Tolerancë apo papërgjegjshmëri fetare). Shqipëria aderon në Konferncën Islamike dhe vetë shefi i shërbimit informativ shqiptar të asaj kohe ishte njëkohësisht dhe kryetar i shoqatës së intelektualëve musilmanë dhe nuk kemi asnjë prononcim publik të këtyre intelektualëve musilmanë kundrejt kësaj lëvizjeje (nuk është e sigurt se nuk ka qenë mburoja e falangës fundamentaliste), asnjë prononcim për të inkurajuar bektashizmin që më së paku me konceptimin panteist të botës (shih K. Frashëri në librin e sipërcituar) ka një platformë harmonie fetare të përshtatëshmë për kushtet e Shqipërisë dhe më afër globalizmit të sotëm. Përkundrazi disa qindra të tillë rendin të marin arsimin islamik deri në Indonezinë e largët kur shumica e të rinjve shqiptarë bënin të pamundurën për një bursë në universitetet perndimore(europiane dhe amerikane). Në të njëjtën kohë dëbohet si i padëshërueshëm një klerik orthodoks në 1994 për të ndërprerë pagëzmin masiv të njerëzve në fenë orthodokse me pretekstin e “greqizimit” të tyre. Pra nga njëra anë thuhet se “nga rrethet shoviniste greke vinte ideja e mbrapshtë se ortodoksët në Ballkan, përveç sllavëve, ishin të gjithë grekë, madje nuk mund të kishte shqiptarë ortodoksë-I.Kadare” dhe nga ana tjetër është vetë politika shqiptare që e mban të ndezur këtë ide me të tilla motive dëbimi. Përqark kësaj politike një “taborr” analistësh, në shumicën e tyre të origjinës musilmane, bombardojnë shtypin shqiptar me sulme sistematike kundër Kryepeshkopit Anastasio me gjithë korektësinë e këtij kleriku të shquar dhe negociatori për harmoninë fetare në Shqipëri.

5. Nobelistët Nënë Tereza dhe Ferid Murad

Z. Qose, ndonse pretendon se është jo kundër krishterimit por kundër tejshquarjes së vetëdijës fetare në disfavor të asaj musilmane, faktikisht është bërë umbrella me ngjyra laike ku janë “strehuar” gjthë ata që janë kundër vizionit kristian të Kadaresë për Shqiptarët. “Qëndrimi im ndaj emrit dhe portretit të Nënës Tereze sot nuk mund të mos jetë i kushtëzuar nga përdorimi fundamentalist fetar dhe politik i atij emri dhe atij portreti”-thotë z. Qose. Aktualisht nuk rrezikohet bota nga “fudametalistë të krishterë” siç nënkupton Qose por nga fundamentalistë musilmanë. Idenë e tejshquarjes fetare për të cilën sulmon Kadarenë dhe disa politkanë, z. Qose e argumenton dhe me neglizhimin ndaj figurës së nobelistit Ferid Murad: “Ferid Murati nuk është i krishterë prandaj emri dhe portreti i tij nuk mund të përdoren për nevojat e mobilizimit politik të krishterimit dhe për nevojat karrieriste të koniunkturistëve tanë politikë dhe kulturorë”. Këtu z. Qose është prapë i pasaktë. Duke lexuar autobiografinë e Nobelistit Ferid Murad (babai i tij shqiptar i emigruar në USA dhe nëna amerikane) mësojmë se: “Babai im ishte musilman, nëna baptiste dhe jemi rritur në një komunitet katolik. Në vazhdim vëllezërit e mi u bënë katolikë kur u martuan me gra katolike kurse unë u pagëzova episkopian (thelbi i predikimit episkopian është jeta dhe ngjallja e Krishtit-shënimi im). Dy vajzat tona u martuan përkatësisht me një ebre dhe një katolik” (shih në Web:

http://nobelprize.org/nobel_prizes/medicine/laureates/1998/murad-autobio.html.).

Pra mospërdorimi i emrit të nobelistit Ferid Murad në atë kuptim që thotë z. Qose na del i pamundur, sepse edhe Ferid Murat është kristian. Veç kësaj do të duhej që të predikohej një tjetër variant i fesë së krishtere dhe të parcelizohej besimi i shqiptarëve akoma në sekte të tjera të krishterimit. Duket se Qose nuk dëshëron të pranojë që Shqipërisë i rritet prestigji nga Nënë Tereza, nobliste që prej 1979, e cila tani së fundi u shpall dhe shenjtore e kishës katolike (që janë “shpallur me shumicë” bën aluzion z. Qose për “inflacionin” e të tilla shpalljeve).

http://nobelprize.org/nobel_prizes/peace/laureates/1979/index.html ).

Qose nuk dëshëron të vendoset portreti i saj në zyrën e kryeministrit dhe ca më tepër ti vihet emri një aerodromi nga ku në të ardhmen mund të ngrihen aeroplanë bombardues… gjithë ky arsyetim të kujton paksa “Elsën e mençme” të një përralle duke vendosur një logjikë tej kornizave të racionalizmit. Edhe Saharov, mbajtës i çmimit Nobelist për paqen ishte fizikant që kishte punuar për fizikën bërthamore dhe bombën me hidrogjen, që sipas logjikës së Qoses zbulimet e tij do të mund të përdoreshn kundër njerëzimit, por komisioni përkatës i akordoi këtë çmim pikërisht sepse ai qëndroi në rradhë të parë të barrikadës për mospërdorimin e energjisë bërthamore për qëllime jopaqësore.

Umbrella e z. Qose rreth komponentes më numerike të identitetit të shqiptarëve, dmth komponentes musilmane që lidhet vetëm me 500 vitet e fundit (ose më pak po të llogarisim kripotokristianizmin, dmth deklarimin formal musilman për ti shpëtuar taksave të rënda, Kuçi është ndoshta fshati i fundit që u musilmanizua para rreth 200 vjetësh), si dhe kritika e ashpër për të ashtuquajtuin “racizëm të Kadaresë ndaj fesë musilmane” i dha mbështetje teorike shumë diskutimeve rreth një busti të Nënë Terezës që do vendosej në Shkodër, rreth restaurimit të një kishë në Shkodër që më vonë u bë xhami, rreth ndërtimit të katedrales në Prishtinë etj. Eshtë në nderin e 32 intelektualëve shqiptarë (shumica e tyre musilmanë, të paktën sipas traditës familjare), që kërkuan ndërtimin e kësaj kateraleje. Kurse umbrella ideologjike e Qoses sjell tejshquarjen që ai mendon se kërkon ta evitojë.

Kadare e quan për turp që i ngrihet shatorja në Tiranë një pushtuesi kinse themeluesit të Tiranës (Vetëm një popull që nuk e meriton lirinë mund t’i ngrejë shtatore pushtuesit të vet-thotë ai). Kadare bën thirrje të mos kthehet koha e Haxhiqamilëve (dmth rryma kundëreuropiane). Të gjitha këto Qose i shkërmoqur “molekulat” e mendimit kadarean në “atome”, “zbulon” teorinë raciste të Kadaresë (madje me argumenta gjeografikë, religjiozë e ideologjikë) duke ju larguar kontekstit të tij dhe po të kujtojmë thënien e Fushesë, ministrit te Bonopartit “më jepni tre fjali të francezit më të ndershëm që ta fus në burg me fjalët e tij” Kadare i ka dhënë shumë faqe me të cilat pretenca e z. Qose do ta çonte Kadarenë në galera për më shumë vite se sa zgjat jeta e tij e madje do ta kryqëzonte atë si Krishtin. Prandaj Kadareja zgjodhi rrugën ta injorojë gjithë shkrimin voluminoz të Qoses me shprehjen “Një sulm i pabesë”, zgjedhje që nuk është domosodoshmërisht e drejtë.

6. Evolucioni i identitetit

Text Box:   Figure 4 Varr monumental helenistik  (foto nga J. KoçiNdërsa i gëzohemi një gjetjeje arkeologjike që tregon një kulturë të lashtë të truallit ku sot banojnë shqiptarët, të lidhur me atë greko-romake që përbën dhe bazën mbi të cilën mbështetet trashëgimia kulturore e qytetërimit perndimor, i gëzohemi kodikëve të kishës orthodokse të grumbulluar nga Theofan Popa por nuk mund të mos njohim dhe ndryshimet që kanë ndodhur në identitetin e shqiptarëve që siç thotë edhe K. Frashëri me dashamirësi “përqafuan fenë musilmane”(dmth fenë e pushtuesit). Pra nuk mund të mos pranojmë se z. Qose me sistemin e tij ideologjik shpreh një realitet. Por një realitet që potencialisht mbart edhe rreziqe. Jemi ende larg ditës kur besimi fetar në glob nuk do te ruajë një rol përcaktues në unitetin e një kombi dhe rrethana të caktura historike mund të prodhojnë shpërbërje pikërisht aty ku ka dhe ndryshime në jetën shpirtërore fetare. Këtë e dëshmon më së miri shpërbërja e vendeve që përfshinin popuj me qytetërime të ndryshëm (si Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia). Psh një skenar i mospranimit të Turqisë në Komunitetin Europian (EU) apo refuzim i projektit të saj për tu bashkuar sepse do të preferonte të kryesonte një komunitet islamik, do të krijonte një hartë të re globale dhe premisa shpërbërëse në Shqipëri.

Kadareja vjen me idenë profetike që “shqiptarët të kthehen në fenë e të parëve të vet” ide që po të mos pengohej nga faktorë të ndryshëm, ishte afër realizimit të vet. Ndonse thotë se “njëlloj do ndihmjnë ose pengojnë që të tria fetë për integrimin europian” ai e di se realiteti nuk është aspak ashtu. Në ditën e nënëshkrimit të marrëveshjes për stabilizim dhe asocijim nuk u pyet se a ka rrezik nga “fondametalistë të krishterë” por a ka rrezik nga “fondametalistë musilmanë”. Ndryshe nga Turqia që S. Hanigton e quan vend dilemë, dmth me qytetërim të ndryshëm nga ai europian, por që elita e saj po e tërheq drejt perëndimit, Shqipëria e ka gati një komponente kulturore të lidhur me perëndimin. Nuk ngelet veç që elita që shpreh komponenten e identitetit musilman të Shqipërisë ti afrohet vizionit të Kadaresë dhe mijëra emigrantëve që po integrohen në vendet perëndimore duke përqafuar fenë e të parëve të tyre pa asnjë imponim ashtu si dhe nobelisti Ferid Murat dikur.

Konkluzion

Ideja profetike e Kadaresë është një vizion i afrimit drejt perëndimit duke u bazuar në vetë trashëgiminë kulturore të shqiptarëve. Me të drejtë Qose pranon që faktorët historikë kanë sjellë një evolim dhe një pjesë e rëndësishme numerike e shqiptarëve kanë qënë orientuar drejt një qytetërimi musilman (dhunërisht apo vullnetarisht), por ndërkaq një pjesë e mbetur e saj saj ka pasur vijueshmëri historike dymijëvjeçare të lidhur me krishterimin dhe qytetërimin perëndimor. E përderisa pranohet prej tij ideja e një evolucioni të identitetit të një pjese të shqiptarëve, pse ju dashka kundërvënë Kadaresë që i fton bashkëkombësit e vet të vazhdojnë procesin e evolucionit në kushtet e reja të globalizmit, por këtë herë drejt identitetit të tyre të hershëm kristian? Realiteti statik i paraqitur nga Qose (dhe jo vetëm statik po të sjellim ndërmend aktivitetin e fondamentalstëve musilmanë në trojet shqiptare) ndihmon në krijimin e një force fërkimi në rrugën e pakthyeshme të Shqipërisë drejt qytetërimit perëndimor.

(pjesa e dytë, botuar në Tribuna, dt 20-04-2007)

Thursday, April 5, 2007

Komunikatë

Sot në dt 1-04-2007 u bë mbledhja për krijimin e Fondacionit Shkencor për Studime në Ballkan “Herodoti” me inisiativën e një grupi shkencëtarësh. Fondacioni jo fitimprurës “Herodoti” përfshin në gjirin e tij 18 antarë dhe 4 miq të tij, nga te cilët 4 janë me shtetësi greke, një me shtetësi bullgare, kurse të tjerët janë me shtetësi shqiptare. Tre prej tyre janë antarë korrespodentë përkatësisht nga Universiteti i Selanikut, Akademia e Shkencave e Sllovenisë, Universiteti i Tiranës. Qëllimi i kësaj kompanie shkencore është të afrojë për bashkëpunim shkencor veçanërisht shkencetarët emigrantë nga Ballkani në Greqi të cilët inkurajohen për të aderuar. Procesi i aderimit është i hapur. Theksojmë se të interesuarit duhet të plotësojnë një nga këto kushte.

1.të kenë kryer studime pasuniversitare dhe botuar në revista të njohura shkencore

2.të kenë gradë shkencore

3. të kenë dhënë ose të japin mësim në sistemin e arsimit të lartë.

Mbledhja e dytë e rradhës do bëhet në 13 prill 2007

Për hollësi të tjera në telefonat 6978094064, 6947036390
e-mail 1: herodot_2@yahoo.gr

Web-site: http://herodotos-foundation.blogspot.com/

Nga këshilli drejtues i fondacionit shkencor “Herodoti”

Wednesday, April 4, 2007

Announcement Nr 2

Scientific Company for the Balkans Study “Herodotus”

Today at the 1-04-2007, in 18, 3 September Street, 8th floor, Athens, after the initiative of some scientists was organized the foundation of the non profiteering Scientific Company for the Balkan Study “Herodotus”, with 20 members and 4 friends. The scope of company is to encourage for research and collaboration between scientists about the Balkans study.

The members have one from the following qualifications:
1.
To have postgraduate study and publication in the scientific magazines with prestige
2. Possess scientific title
3. Teach or have taught in the Universities-polytechnic, College

The acceptation of the news member is open.

We encourage participating all the scientists emigrants in Greece.

The next meeting will be held at 15 April of 2007


For more details in the telephones: 6978094064, 6947036390
e-mail 1: herodot_2@yahoo.gr